Moti i keq, vonohen tragetet

25/12/2010 13:15

Kushtet e përkeqësuara të motit në det të hapur kanë bërë që tragetet e linjës detare Bari-Durrës të mbërrijnë me vonesë në portin detar.

Mijëra emigrantëve shqiptarë dhe kosovarë që janë nisur për të kaluar festën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri iu është dashur të kalojnë orë të tëra në portin e Barit, në pritje të nisjes së trageteve.

Deri në mesditë kanë hyrë tre tragete, ndërsa trageti “Rigel” ka mbërritur me më shumë se 5 orë vonesë.

Burime nga agjencitë e ndryshme të lundrimit bëjnë të ditur se fluksi i emigrantëve në port është në rritje dhe këtë fundjavë pritet të hyjnë në vend nga vendkalimi kufitar i Durrësit mbi 17 mijë emigrantë.

Kushtet atmosferike parashikohet të jenë të paqëndrueshme dhe për orët në vazhdim.

Top Channel