Dosja “Ruli” në Prokurori

25/12/2010 15:35

“Task Force” e krimit ekonomik në Prokurorinë e Tiranës ka nisur verifikimin  e procedurave nëse ka qenë në përputhje me ligjin kur ish-ministri i Energjitikës, Genci Ruli, ndryshoi marrëveshjen koncesionare dhe shtyu pagesën e gjobës për shoqërinë që ka marrë me koncesion minierën e kromit në Bulqizë.

Sipas burimeve nga “Task Force”, kjo procedurë verifikimi ndiqet për të parë nëse vendimi i zotit Ruli përbën vepër penale dhe ka mundësi për çeljen e hetimeve për këtë çështje.

Nëse “Task Force” vendos fillimin e hetimeve, atëherë nis thirrja e dëshmitarëve, ku kryesori do të jetë pikërisht ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Ky i fundit, aktualisht ministër i Bujqësisë, akuzohet se në korrik të vitit 2009, vetëm dy ditë pas kërkesës së kompanisë koncesionare, ka firmosur ndryshimin e marrëveshjes koncesionare pa e kaluar atë më parë për miratim në Kuvend, çka lehtësoi kompaninë nga gjoba prej 1.6 milionë euro dhe detyrimet e investimeve të parealizuara.

Opozita ka kërkuar nisjen e hetimeve nga Prokuroria duke dyshuar aferë të dyshimtë nga ministri Ruli e cila i ka kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej miliona euro.

Top Channel