Dëmi i Rulit, 3.4 mln USD

25/12/2010 15:55

Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren në raportin e tij të fundit për periudhën 2007-2009,  se ish-ministri i Energjitikës, Genc Ruli i ka kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej 3.4 milionë dollarë pasi ka favorizuar kompanitë që kanë marrë koncesione në energjitikë.

Sipas KLSh, gjatë kësaj periudhe kur ministrinë e energjitikës e drejtonte Genc Ruli janë vërejtur një seri shkeljesh të kontratave koncensionare si nga kompanitë ashtu edhe nga ministria. Sipas raportit të KLSh-së, ministri Ruli ka favorizuar kompani të cilat nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kontratat e koncensioneve, duke mos realizuar në kohë gjithë investimet e kërkuara nga kontrata.

Sipas KLSH, përgjegjësia e këtyre shkeljeve bie mbi ish-drejtuesit e drejtorisë së lincensave dhe monitorimit të kontratave, mbi ish-drejtuesit e agjencisë kombëtare të burimeve natyrore si dhe mbi disa titullarë të tjerë, që të gjithë nën varësinë e ministrit Ruli.

Raporti përmban një sërë dosjesh për tenderat e kryer nga Ministria e Energjitikës, lidhur me projekte hidrocentralesh të dhëna me koncension. Sipas raportit, nga agjensia kombëtare e burimeve natyrore nuk ka pasur organizim për monitorimin e kontratave të ndërtimit dhe vënies në punë apo shfrytëzimit të HEC-eve të dhëna me koncension.

Raporti vëren gjithashtu se ka pasur mungesë bashkëpunimi midis ministrisë dhe AKBN-së edhe për plotësimin e dosjeve të subjekteve  me dokumentacionin e nevojshëm, apo raportimet periodike të kontraktuesve për ecurinë e ndërtimit të koncensioneve, apo dorëzimi i kopjeve të bilancit financiar të kompanive që kanë përfituar koncensionet.  

Së fundmi, ish-ministri i energjitikës, aktualisht ministër i Bujqësisë, Genc Ruli po akuzohet nga pozita për shkelje të ligjit duke ndryshuar kontratën e investimit dhe shtyrjen e pagesës së gjobës për kompaninë që ka me koncesion minierën e kromit të Bulqizës.

Top Channel