Shkodër, përmbytja shkreton fshatrat

24/12/2010 12:15

Fshati Mushan në Shkodër është më i dëmtuari nga përmbytjet që po zgjasin me javë të tëra.

Rruga për të shkuar atje është shumë e vështirë nga pengesat ujore, ndërsa banorët kanë braktisur zonën.

Shtëpitë janë mbyllur dhe qetësinë e ujërave e prish zhurma e shpendëve që ulen të ushqehen me kufomat e kafshëve të mbytura.

Me dhjetra lopë e derra po dekompozohen mbi tokë për shkak se askush nuk ka shkuar t’i groposë. Derrat që mundën të mbijetojnë, në mungesë të ushqimit, po hanë kufomat e kafshëve të ngordhura.

“Këtu jemi tek shtëpia e kushëririt tim. Janë 7 lopë të ngordhura, 11 derra dhe pula të panumëruara. Këtu ka pasur 3 metër ujë”, tregon Fran Macaj, banor i fshatit Mushan.

Pamja e frikshme e këtij fshati dhe dëmet materiale nuk janë të vetmet. Përmbytja e Nënshkodrës ka lënë pas dhe tramua psikologjike tek banorët.

Një rast i rëndë raportohet nga banorë të fshatit Mushan të Dajcit, ku një fermer pasi ka parë duke u mbytur rreth 7 krerë lopë, ka pësuar tronditje të rëndë dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spital.

“Ka pësuar trauma psikologjike dhe ndodhet në spital. Kur e sheh vetën duke u mbytur s’ka gjë më të keqe”, shprehet Macaj.

Ujërat në këtë fshat kanë vërshuar menjëherë dhe nuk i kanë dhënë mundësi fermerëve të shpëtojnë gjënë e gjallë.

Të gjitha lopët kanë ngordhur të lidhura në stalla. Uji brenda një ore arriti një metër thellesi dhe për 30 ditë zona ka qenë 2 metra nën ujë. Zona përmbytet nga prurjet e lumit Drin, prurje të cilat rriten nga shkarkimi që bëjnë hidrocentralet.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta