Kuvend, debat Berisha-Ruci

24/12/2010 00:20

Kryeministri Berisha, pas fjalës së deputetit socialist, Fatmir Xhafaj, ftuai opozitën në arritjen e një konsensusi për ngritjen e Komisionit Hetimor Zgjedhor, por sipas tij, në bazë të ligjeve, Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave.

“Nëse dhunohet Kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi, Europa do të jetë një horizont i paarritshëm, kjo ka qenë arsyeja kryesore pse unë dhe mazhoranca iu është përmbajtur ligjeve kushtetuese dhe vendimeve të gjykatave”, tha Berisha.

Kryeministri ftoi opozitën të ngrënë komisionin me të gjitha kërkesat e saj që përputhen me ligjin dhe Kushtetutën, por tha se nuk mund të hetohet vetëm në dyshime. Ai kërkoi që në draftin e paraqitur nga socialistët të shtohet togfjalëshi “të hetohen dyshimet mbi bazën e fakteve, provave dhe grup-fakteve”.

“Të arrijmë në një ujdi, të ngremë komisionin me të gjitha kërkesat tuaja që të kenë bazat në ligjin dhe kushtetutën e vendit. Nëse mendoni se mund të niset hetim bazuar në dyshime pa fakte, pa prova, pa grup-faktesh vetëm se sa riprodhoni kohën më të zezë të këtij vendi. Asnjë vend i lirë nuk mund të bëjë një gjë të tillë sepse ka një parim themelor”, tha kryeministri.

Më tej kryeministri tha se nëse opozita vazhdon të mbajë këtë qendrim që ka mbajtur deri më tani do të vazhdojë të jetë në pushtet edhe për 30 vjet të tjera.

“Po vazhduat kështu do të jem edhe nja 30 vjet në pushtet, falë jush. Keni parë në Europën lindore një kryeministër të viteve ‘90? Unë jam për shkakun tuaj këtu dhe të jeni të sigurt se do rrij edhe 30 vjet sepse ju keni një alternativë që nuk ja besojnë dhe nuk do t’ua besojnë kurrë shqiptarët”, shtoi Berisha.

Më tej kreu i ekzekutivit tha se objektivi i tij mbetet anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Europian. Ai tha se me Sali Berishën shqiptarët i lidhin shumë gjëra, i lidh një përpjekje për një epokë të re, i lidh shembja e ‘Murit të Berlinit’, i lidh dyfishimi i rrogave dhe pensioneve të ulta.

Por menjëherë pas fjalës së kryeministri u kundërpërgjigj kreu i grupi kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, kërkoi që hetimi të kryhet sipas shembullit të “Rushdies”.

Deputeti Ruçi fillimisht iu kundëpërgjigj akuzave dhe deklaratave të kryeministrit ndaj Partisë Socialiste, mënyrës së funksionimit dhe të organizimit të saj.

“Nuk ka arsye të zësh se si funksionon PS pasi kë shkatërruar PD. Të na vijë turp që një shtet i porsaformuar bën zgjedhje model duke anuluar 40 përqind të votave. Dua hetimin votë për votë si shembulli i ‘Rushdies’. Kërkojmë të zbatosh opinionin e komisionit të BE-së për të zgjidhur krizën, kërkojmë rekomandimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të zgjidhur krizën, por këtu mungon vullneti politik.”,deklaroi  Gramoz Ruçi.

Top Channel