
Bllokimi politik ndaj hetimit parlamentar alternohet me një zgjidhje “periferike” që vjen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Refuzimi i përditshëm i shumicës qeverisëse për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore, sipas kërkesave të PS-së, ka gjetur dje një valvulë shfryrjeje tek institucioni i drejtuar nga Arben Ristani, i cili ka planifikuar një mbledhje të posaçme për këtë çështje në datën 29 dhjetor të këtij viti.
Materialet e përgatitura kanë parashikuar thuajse të gjithë procedurën që bazohet te ligji zgjedhor, duke nisur që nga projektvendimi përkatës, relacioni bashkëngjitur, tabela e materialeve logjistike që do të trajtohen, si dhe përcaktimi i buxhetit përkatës që duhet për këtë operacion së bashku me personelin e posaçëm.
“Është parashikuar që procesi i hapjes së kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore, si dhe zbatimit të procedurave të përcaktuara në nenin 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor, të realizohet brenda një afati 60-ditor, që nga momenti i marrjes së vendimit nga KQZ. Duke u bazuar në të gjithë arsyetimin e mësipërm, konkludojmë se përgatitja e kutive të votimit për zgjedhjet e ardhshme, duke u bazuar në dekretin e Presidentit nr. 6668, datë 06.09.2010 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është në kushtet e emergjencës”, thuhet në projektvendimin e publikuar dje nga KQZ.
Prej këtij arsyetimi, i shoqëruar me bazën përkatëse ligjore, institucioni në fjalë do të shtrojë në mbledhje çështjen e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, duke përfshirë hapat respektive që do të ndiqen për të plotësuar me detaje detyrat që dalin nga zbatimi i këtij procesi.
Top Channel