
Në Parlament vazhdojnë debatet mes mazhorancës dhe opozitës, të cilat fajësojnë njëra-tjetrën për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat në BE dhe problemet e tjera që ka vendi.
Deputeti socialist Erjon Brace, ka akuzuar Partinë Demokratike se e ka kthyer Parlamentin në një institucion ku ligjin e bën korrupsioni qeveritar.
“Të pastrojmë Kuvendin nga të korruptuarit. Në Kuvend bëhet vetëm shantazh. Politika po kontrollon sipërmarrjen dhe ky sistem është thelbi i krizës. Parlamenti është i njëanshëm dhe formal. Duhet t’ia kthejmë Kuvendin popullit”, ka deklaruar Brace.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka bërë përgjegjës në mënyrë direkte kryetarin e opozitës, Edi Rama, për dështimin në marrjen e statusit të kandidatit dhe në mosmiratimin e ligjeve të rëndësishme për vendin.
“Rama ka qenë gjithmonë kundër heqjes së vizave, Rama urren ata që nuk e votojnë. Ai përcmon dhe tradhëton gjithëkënd. Parlamenti ka votuar cdo ligj, ka bërë cdo gjë. Morëm heqjen e vizave sepse varej nga ne, ndërsa statusi varej edhe nga ju. Rama do që të bëhet kryeministër dhe hidhërohet kur s’ka krizë”, ka theksuar Topalli.
Nga ana e PS është kundërpërgjigjur deputeti Arben Malaj, i cili ka theksuar se opozita e votoi rezolutën për statusin.
Sa për vizat, ai ka theksuar se shqiptarët e meritonin më parë heqjen e tyre dhe ka shtuar se, edhe pas 20 vjetësh Parlamenti nuk është demokratik.
Top Channel