Shkeljet e Rulit, në zyrën e Metës

23/12/2010 08:40

Shkeljet e detyrës në dëm të interesave të shtetit shqiptar, shkaktuar nga ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ndodhen në zyrën e ministrit aktual, Ilir Meta.

Grupi i punës i ngritur me urdhër të posaçëm nga ish-ministri Dritan Prifti, ka përpiluar një raport-kontrolli lidhur me kontratën e rishikuar në korrik 2009 nga Ruli dhe situatën në tërësi mbi marrëveshjen koncesionare mes kompanisë ‘ACR’ dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Prifti e la detyrën në shtator të këtij viti, duke u zëvendësuar nga Ilir Meta dhe tashmë i takon këtij të fundit të vendosë mbi fatet e koncesionit dhe të vet ministrit Ruli.

Raporti përmban me fakte, shkeljet e kryera nga Ruli, duke firmosur një marrëveshje pa dijeninë e Kuvendit dhe duke anashkaluar kompetencat, të cilat i takojnë një tjetër institucioni, lidhur me rastin e penalitetit prej 1.6 milionë euro.

Edhe pse kanë kaluar katër ditë nga publikimi i shkeljeve të kryera nga Ministria e Ekonomisë deri në vitin 2009, nuk ka ende një reagim si nga ministri Ruli, që sot drejton Bujqësinë, ashtu dhe nga ministri aktual, Meta, i cili ka në dorë raportin e hartuar nga grupi i kontrollit të ngritur posaçërisht vetëm për çështjen në fjalë.

Skandali i radhës që ka përfshirë ministrin Ruli lidhet me një kontratë të firmosur nga ai për rishikimin e planit të investimit ndaj një shoqërie private e cila nuk kishte mundur të përmbushte të gjitha detyrimet, që lidheshin kryesisht me investimet.

Në korrik të vitit 2009, kompania ‘ACR’ i kërkon Rulit të rishikojë kontratën për disa arsye ekonomike, që lidheshin me tregjet e bursës, ku kromi kishte pësuar rënie, dhe me vonesat në rimbursimin e TVSH-së.

Si kompani private, ‘ACR’ ka pasur të drejtat e veta për të kërkuar një favor të tillë, pasi qëllimi final mbetet fitimi, por ajo që bie në sy është fakti se përgjigja aprovuese e ministrit Ruli erdhi në kohë rekord. Pas dy ditësh, palët bien dakord për shtyrjen e planit të investimeve dhe pagesën e gjobës.
  Rishikimi i kontratës u bë pa miratimin e Kuvendit, gjë për të cilën mban përgjegjësi ligjore vetëm Ruli dhe juristët e tjerë të Ministrisë së Ekonomisë.

Nga ana e saj, kompania deklaron se i është përmbajtur detyrimeve dhe se ka arritur në kohë rekord të investojë 20 milionë euro në minierën e Bulqizës, dhe uzinat e Ferrokromit në Burrel dhe Elbasan.

Një ditë më parë, ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, aktualisht deputet i pavarur, hodhi dritë mbi disa shkelje të kryera nga paraardhësi i tij, Genc Ruli, i cili e drejtoi METE-n për katër vjet rresht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA