Ruci: Berisha tallet me Parlamentin

23/12/2010 19:50

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci, gjatë fjalës së tij në Parlament ka akuzuar kryeministrin Berisha se tallet me qytetarët.

Ruci ka kritikuar mazhorancën se nuk reflekton për refuzimin e statusit të kandidatit nga ana e Komisionit Evropian.

“Ai që drejton mazhorancën në mëngjes gënjen, në drekë mashtron dhe në darkë mendon për gënjeshtrën e radhës. Kemi një vend që i kundërshtohet statusi i kandidatit dhe nga mazhoranca nuk kemi asnjë reflektim. Kryeministri mungon gjatë kohës më të madhe dhe kur vjen tallet, lëshon dokra. Sikur populli të magjepset nga ai”, ka deklaruar Ruci.

Ai ka theksuar se, në vend që të shqyrtojë kërkesën e opozitës, e cila bazohet tërësisht tek raporti i KE, mazhoranca shpif dhe sulmon Partinë Socialiste.

“Është unikal kur një shteti i refuzohet statusi i kandidatit dhe kur opozita ofron një ofertë, përsëri ajo kundërshtohet nga mazhoranca. Është unikale që mazhoranca në vend të ulë kokën, të kërkojë ndjesë e të nxjerrë përgjegjësitë, shantazhon, shpif dhe vetëm shpif, si dhe baltos dhe vetëm baltos. Raporti i PE është baza e rezolutës së opozitës”, ka theksuar Ruci.

Sipas tij, qeveria kërkon të fshijë raportin e KE dhe në vend që ta shqyrtojë atë sulmon opozitën.

“Të japë llogari përse BE e la jashtë dere Shqipërinë. Dhe në vend që të japë llogari për korrupsionin dhe krimin, lëshon shashka ndaj opozitës. KE na i ka shkruar me një rezolutë: të zgjidhet kriza, të hetohen zgjedhjet, të ngrihet komisioni hetimor me shumicën e opozitës”, ka deklaruar Ruci.

“Përse nuk bëhet, kur vetë ju kryeministër i vendit jeni deklaruar pro materialeve zgjedhore dhe pro shumicës së opozitës. Vjedhja e zgjedhjeve të radhës, kjo është arsyeja e vërtetë”, ka vijuar ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta