Koncesioni, Ruli injoroi urdhrin e kryeministrit

23/12/2010 08:45

Problemet e ish-ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli me koncesionin në minierën e Bulqizës janë më të hershme, sesa kontrata e firmosur nga ai në korrik të 2009-s.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit vë në dukje faktin se ministri ishte paralajmëruar mbi shkeljet e ligjit që po kryente koncesionari “DARFO”, i cili më pas mori emrin “ACR”.

Bëhet fjalë për një raport të kryer në vitin 2008, ku KLSH-ja i kërkonte Rulit të merrte masat dhe të respektonte ligjin e koncesioneve.

Në morinë e shkeljeve të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, bie në sy fakti se ministri Ruli nuk kishte zbatuar detyrën e caktuar sipas ligjit, lidhur me plotësimin e detyrimit për sigurimin e pronave të koncensionit në shoqëritë e sigurimeve, kjo në përmbushje të kërkesave të Marrëveshjes Koncensionare, nenin 13 “Sigurimet”, me afat deri në nëntor 2008, për kompaninë “DARFO” spa, Itali. Rulit iu la kjo detyrë që në fillim të 2008-s, por nga kontrollet e mëpasshme, deri sa ishte në detyrën si ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nuk e kreu.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, mosrealizimi i plotë i rekomandimeve është në kundërshtim me urdhrin e Kryeministrit nr. 70, datë 18.04.2006 “Për masat në zbatim të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Auditit të Brendshëm dhe Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion (DKBAA), në Këshillin e Ministrave, në institucionet në vartësi të Kryeministrit a të ministrave”.

Në raportin e KLSH-së vërehen disa shkelje mjaft të rënda edhe ndaj kontratave të tjera koncesionare, kësaj here për hidrocentralet me vlera të mëdha investimi, disa dhjetëra milionë euro.

Duhet thënë se për katër vitet e para të mandatit të Kryeministrit Berisha, nuk ka pasur asnjë informacion rreth kontratave koncesionare të firmosura nga ministri Ruli.

Që prej krijimit të ligjit për koncesionet, janë dhënë rreth 220 hidrocentrale me koncesion, ku një numër shumë i vogël i tyre i kanë respektuar afatet e nënshkruara në kontratë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA