Ekspozita Nënë Tereza

23/12/2010 08:00

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës u ekspozuan rreth njëqind libra, në gjuhë të ndryshme të botës, që i kushtohen nobelistes shqiptare, Nënë Tereza.

Këta libra janë siguruar nga biblioteka personale e Don Lush Gjergjit, njërit prej biografëve më të njohur të Nënë Terezës, ndërsa janë ekspozuar me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj. Kjo ekspozitë është shoqëruar edhe me një katalog, në të cilin janë përfshirë ballinat e librave të shumtë, që autorët e huaj ia kanë kushtuar humanistes shqiptare.

Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare e Universitare të Kosovës, u shpreh se çdo lexues, pa dallim gjinie, moshe, race, kombi, e fuqizon përmasën e përfytyrimit dhe të pranimit estetik nga madhështia e humanizmit të nobelistes shqiptare, e projektuar në kujtesën botërore të shekullit XX dhe në fillimet e këtij shekulli, në mbi 300 vepra të shkruara deri më tani në gjuhë të ndryshme të botës, të cilat kanë të bëjnë me jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë.

Bashota shtoi se fryma e pavdekësisë e valëvitur në qytetërimin botëror me ndjenjën e fuqishme njerëzore të bamirësisë së një nëne shqiptare tashmë është bërë udhërrëfim për të shpalosur dimensionin universal të humanizmit, i cili buron kudo në botë në shërbim të jetës së njeriut dhe për të mirën e njerëzimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA