Bode: Opozita synon konflikt social

23/12/2010 13:40

Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi gjatë diskutimit në parlament të aktit normatik për pensionet e ish ushtarakëve se opozita synon të minojë kohezionin social në vend.

“Ky debat nuk ka të bëjë me ushtarakët në detyrë dhe ata në pension, por ata 7400 që kanë dalë në pension në moshën 40 vjeçare që përbëjnë një grusht votash, sipas opozitës, që mund të futen në xhepin e votave që përpiqen të mbledhin. Ju vini 7400 ushtarakët përballë 200 mijë punëtorëve në pension, 100 mijë invalidëve, 12 mijë të verbërve sepse gjithë kjo masë përballohet nga ai fond që qeveria aktuale e kaloi nga 54 miliardë lekë në 190 miliardë lekë”, theksoi Bode.

“Jeni të gatshëm të fusni në konflikt social edhe ushtarakët brenda për brenda. Për një grusht votash nuk keni as parime dhe as moral”, tha Bode.

“Kërkoni të vrisni shpresën e 540 mijë pensionistëve, sepse me këtë fond që do të kursehet mund të shtojë pensionet e fermerëve, arsimtarëve, mjekëve. Ju keni psikologjinë e bllokut dhe të privilegjeve. Ju krijoni dhe mbroni kastat”, shtoi ai.

Top Channel