
Gjatë fjalës së tij në Parlament, kryeministri Berisha ka folur edhe për mocionin e kërkuar nga opozita, të cilin e ka konsideruar si një vetëvrasje për këtë të fundit.
“Ky mocion është një aktakuzë ndaj vetes tuaj. Kur ju i vini vetes qëllimin kryesor për të penguar lëvizjen e lirë të shqiptarëve, ne këtë s’mund ta lejojmë”, ka deklaruar Berisha.
Kryeministri ka hedhur poshtë akuzat se ka grabitur votat dhe u ka thënë deputetëve të opozitës së janë manovruar si kukulla nga kryetari i tyre.
“Nëse do kisha vjedhur votat do të kisha vjedhur 80% të tyre. Juve ju ka keqpërdoruar kryetari juaj, ju futi në grevë, ju vuri të laheshit në mes të sheshit dhe pastaj u tërhoq”, ka pohuar Berisha.
Duke folur për rezolutën e kërkuar nga PS, kreu i ekzekutivit e ka cilësuar atë si një kërkesë të pavlerë, për shkak se nuk përmban asnjë provë.
“Tani vijmë tek rezoluta. Më thoni, a ekziston një kërkesë që në cdo nen të kërkojë hetim, hetim, hetim dhe në asnjë vend pa iu referuar fakteve? A e kuptoni ju se, nëse fillon hetimi ju dilni alienë dhe marsianë? Në asnjë vend të lirë nuk mund të hetohet pa fakte ose prova. A e kuptoni ju se cfare ju kërkon ai të votoni?”, është shprehur Berisha.
Kryeministri u ka premtuar deputetëve të opozitës se është i gatshëm t’u japë atyre shumicën në komisionin hetimor, por ka nënvizuar se hetimi duhet të kryhet i bazuar në fakte.
“Unë ju garantoj se pranoj cdo hetim. Shkoni në gjykatë që të rinumërojmë cdo votë. Mos u trembni nga Shkodra. Dhe bëjmë një pakt, nëse fitoj unë nuk e marr një deputet, ndërsa ju e merrni. Por s’ka, sepse Shkodra tregoi se ne kemi vendosur një standart të ri në procesin e numërimit. Urdhëroni që tani, ju kam dhënë fjalën se do keni shumicën në këtë votim, ligji do respektohet, dy anëtarë të mijtë nuk do të duket. E bëjmë këtë nëse doni”, u është drejtuar Berisha socialistëve.
Top Channel