Berisha: 2010-a, viti i arritjeve të mëdha

23/12/2010 19:00

Kryeministri i vendit Sali Berisha ka deklaruar se raporti që KE i dorëzoi Shqipërisë në refuzimin e statusit të kandidatit do të kthehet në një udhëzues për realizimin e reformave integruese.

“Raporti i KE është një dokument themelor, jashtëzakonisht i rëndësishëm, i dobishëm dhe do të shtrohet në një program të vërtetë pune, mbi të cilin do të bazohet tërësia dhe universi i reformave që do të shtynë përpara procesin e integrimit”, ka deklaruar Berisha në Parlament.

Kreu i qeverisë është shprehur se viti 2010 ishte viti i arritjeve më të mëdha për Shqipërinë, të cilat sipas tij u kurorëzuan falë punës së kabinetit të tij.

“Në historinë 18 vjecare të pluralizmit politik, pas anëtarësimit në NATO në vitin 2008, 2010-a mbetet viti më i rëndësishëm, viti i arritjeve të mëdha. Heqja e vizave për qytetarët shqiptarë ishte një proces që erdhi kryekëput pas plotësimit të reformave në fushën e rendit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit”, ka pohuar Berisha.

Sipas tij, vendimi për heqjen e vizave ka qenë shumë i vështirë për vendet e BE, për shkak të instalimit në vend dhe Evropë të bandave më të rrezikshme kriminale shqiptare.

“Heqja e vizave për shqiptarët për 27 vendet anëtare të BE ka qenë vendimi më i vështirë. Jo shumë kohë larg nga kjo e jona, ky vend sundohej nga bandat më të rrezikshme në Evropë. Shqiptarët krahasoheshin me mafiet më famëkeqe në Evropë e më gjerë. Vetëm 5-6 vjet më parë në këtë vend një post drejtonte policinë, që shitej për 300 mijë euro. Veriun e Tiranës e zotëronte Nehat Kulla dhe opozitarët ekzekutoheshin para selive të tyre. Pra, ishte një vendim shumë i vështirë”, ka theksuar Berisha.

Më tej kryeministri ka akuzuar liderin e opozitës, Edi Rama, i cili sipas tij ka bërë gjithcka për të penguar këtë proces kaq të rëndësishëm për shqiptarët, me qëllimin e vetëm të realizimit të interesave të tij personale.

“Si në asnjë vend tjetër të Evropës, dikush u bë copa, s’la gjë pa bërë, bëri cdo gjë për të bllokuar vizat. Në kokën e një njeriu u ngulit thellë ideja se, nëse hiqen vizat pas NATO-s, u cimentua pushteti, prandaj duhet të bënte gjithcka që të bllokonte këtë proces, të bënte cdo gjë për të bojkotuar zgjedhjet”, ka nënvizuar Berisha.

Më tej lideri i mazhorancës ka mbrojtur zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe u ka drejtuar një mesazh deputetëve të opozitës.

“Po të jetë për këtë karrike unë ju bëj aleatë, por unë nuk ju dua. Dua opozitë. Nuk ka keqpërdorim më të keq se ai që po ju bën juve kryetari juaj”, ka shtuar Berisha.

Ai ka komentuar edhe fotot e publikuara nga emisioni “Fiks Fare”, që e tregonin atë vite më parë në shoqërinë e djalit të diktatorit komunist Enver Hoxha.

“I patë ato foto? 30 vjet më parë sikur të ishte 3 vjet më parë Sali Berisha. Do kërkoj të marr orgjinalet”, është shprehur Berisha.

Top Channel