Basha: Rezoluta e PS, një farsë

23/12/2010 17:25

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha e ka cilësuar si një farsë kërkesën e PS për rezolutë, duke deklaruar se ajo është vetëm një diversion i opozitës për të mbuluar dështimin.

Duke folur në seancën parlamentare, Basha është shprehur se deputetët e majtë po veprojnë në bazë të kapricove të një njeriu të vetëm, që është dhe kryetari i tyre.

“Sot, me kërkesë të PS, ndodhemi në këtë debat me mocion, për të ashtuquajturën rezolutë. Unë nuk mendoj se kemi të bëjmë me një debat të rëndësishëm, por për një debat që është i shterpë, një vjedhje të kohës, sepse nuk shoh në këtë sallë vullnetin e vërtetë, por vullnetin e kapur rob nga një njeri që ka kapur peng deputetët e opozitës nga kryerja e detyrave të tyre”, ka pohuar Basha.

Sipas tij, opozita nuk ka qenë asnjëherë e gatshme për të bashkëpunuar me mazhorancën për interesat e vendit, por ka vepruar gjithmonë në bazë të interesave të saj.

“Për heqjen e vizave nuk ka pasur asnjë vullnet që palët të bashkohen dhe të lënë mënjanë interesin e ngushtë partiak, apo më keq ato të një personi të vetëm”, është shprehur Basha.

“Nuk besoj se rezoluta e sotme vjen nga vullneti i lirë politik, transparenca e votave sot braktiset pas heqjes së vizave dhe pas numërimit nga një institucion i pavarur të votave të qarkut të Shkodrës, që vlerësoi se procesi i zgjedhjeve të 28 qershorit ka qenë më i miri”, ka nënvizuar ai.

Ministri i Brendshëm ka shtuar më tej se opozita sot është e zhveshur nga të gjitha alibitë e kryetarit të saj, i cili zvarritet në rrugët e Shqipërisë për të krijuar krizë.

“S’kam asnjë pikë besimi se do të ketë një rezultat pozitiv. Pasi pas kësaj kërkese synohet mbulimi i dështimit tuaj”, ka shtuar Basha.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta