
Deputeti socialist Taulant Balla, duke paraqitur në Kuvend fotot e kryeministrit me të birin e diktatorit komunist Enver Hoxha, të publikuara nga emisioni “Fiks Fare”, ka hedhur akuza të rënda ndaj kreut të qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, Balla është shprehur se arsyeja përse vendi nuk zhvillohet është pikërisht prirja diktatoriale e Berishës.
“U bëre servil, u bër hileqar dhe kjo është prova se ti, Sali Berisha mbetesh një komunist i pareformuar. Kjo është arsyeja përse Shqipëria nuk mori statusin e vendit kandidat. Nuk mund të drejtohet vendi nga një kryeministër që i thoshte Ramiz Alisë: “O shoku Ramiz, është herët për t’i dhënë Shqipërisë pluralizmin”, i është drejtuar Balla Berishës.
Deputeti i PS ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit edhe për pazaret që sipas tij ai po bën me kriminelët më famëkeq të Ballkanit.
“Si mund ta marrë Shqipëria statusin e kandidatit, kur t’i në vend që të bësh detyrën që të ngarkon ligji, ke vënë zagarët e tu të bëjnë pazare burg e më burg. Lufta kundër krimit për ty, zoti Berisha, është kthyer në pazar me krimin”, ka pohuar Balla.
Ai ka theksuar se lideri i mazhorancës është një e keqe që duhet të largohet sa më parë, ndryshe Shqipëria rrezikon të mbetet në degradim.
“Vetëm në dy vende në Evropë vidhen votat, në Shqipëri dhe Biellorusi, nga Berisha dhe Lukashenko, që janë diktatorët e fundit në Evropë, të cilët duhet të largohen”, ka nënvizuar Balla.
Më tej Balla ka bërë përgjegjëse drejtpërdrejtë qeverinë dhe në vecanti ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, për hartimin e raportit të Dick Marty me akuza ndaj lidershipit kosovar.
“E ke shumë të lehtë të gjesh spiunin e Dick Marty, pasi kalin e Trojës e ke në qeveri. Ai është Lulzim Basha, që ka përgatitur dosjet kundër luftëtarëve të UCK-së. Pyesni Fatmir Limajn për këtë, pyesni edhe Haradinajn në Hagë se cfarë pune të pistë ka bërë ministri yt i Brendshëm”, i është drejtuar Balla Berishës.
Top Channel