
Akti normativ i qeverisë që ul përfitimet e 7400 ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm shkaktoi debate të forta në Kuvend mes ministrit të Financave dhe deputetëve të opozitës. (UPDATE)
“Një punonjës në detyrë merr më pak se një pensionist që del në mënyrë të parakohshmë 5%. Atëherë, përse duhet të rrijnë në detyrë ata që kanë bërë 15 vjet punë? Jemi në një absurditet”, deklaroi ministri Ridvan Bode.
“Na vjen një ministër i Finance që ka ikur dhe na thtoë: “Ju po bëni pensionin 1 milion”. Është mashtrim. Pensionet janë të diferencuara. Nuk mund të marrësh si shembull pensionin e një gjenerali”, reagoi deputeti Pandeli Majko.
Por ministri i Financave tha se qëndrimi i opozitës është demagogji për përfitime politike. “11517 veta të marrin sa dyfishi i 118 mijë fshatarëve që kanë punuar gjithë jetën në bujqësi. Ku i keni parë juve këto?”, theksoi Bode.
Por Pandeli Majko tha se ajo që po bën demagogji është qeveria dhe jo opozita. “Ky ligj, në maj të 2005-ës është diskutuar në komisione parlamentare dhe ka kaluar në Parlament me 100% të votave, përfshirë tënden. Dhe menjëherë sapo erdhe the se kjo është bombë”, u shpreh Majko.
Ngërci me pensionet e parakohshme të ushtarakëve lindi pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili hoqi tavanet e sipërme të përfitimeve, cka sipas Ministrisë së Financave deformon skemën e pensioneve dhe ka poasoja të forta për buxhetin.
Kushtetuta e parashikon nxjerrjen nga qeveria të një akti normativ që hyn në fuqi menjëherë, por kur kjo përligjet nga nevoja urgjente.
Publikimi i aktit normativ në Fletoren Zyrtare nuk përbën në vetvete ndonjë shkelje, sepse Kushtetuta parashikon që në rast mosmiratimi nga Kuvendi, akti normativ e humb fuqinë e tij.
Por akti normativ nuk mund të shfyqizojë një ligj apo një dispozitë të ligjit, si në rastin e pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve.
Po ashtu, efekti në kohë i aktit normativ duhet të jetë i përkohshëm, por që në rastin konkret është i përhershëm.
Ndaj nxjerrja e një akti normativ, mendojnë juristët, nuk ishte rruga e duhur legjislative për të rregulluar cështjen e shumëdebatuar të pensioneve të ish-ushtarakëve.
Top Channel