
Qendra e qytetit të Korcës, në të cilën bashkia synon të zbatojë një projekt të ri infrastrukture, kthehet sërish në burim konflikti midis institucioneve.
Ndërhyrja e një grupi njerëzish mesnatën e së martës në sheshin para kinema “Majetik”, ku bashkia parashikon ngushtimin e bulevardit dhe shtimin e hapësirave të gjelbra, ka bllokuar përsëri punimet në këtë qendër të qytetit.
Persona që mbanin në duar vegla pune, por që nuk ishin të bashkisë, janë shfaqur për të prishur sërish asfaltin dhe per ta kthyer këtë pjesë të bulevardit kryesor të qytetit në gjendjen e tij të mëparshme, kur gjerësia e rrugës ishte më e madhe.
Ndërhyrja në kohë e kryetarit të bashkisë Niko Peleshi dhe policisë bashkiake bëri që të shmanget jo vetëm prishja e asfaltit, por edhe një konfrontim i mundshëm i policisë bashkiake me atë të rendit dhe personat që tentuan prishjen e rrugës.
Edhe gjatë ditës së mërkurë, në vendin tashmë problematik të qendrës së Korcës janë parë forca të shumta të policisë së rendit dhe asaj bashkiake, por punimet si dhe mjetet e rënda vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Top Channel