
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi grupimin “Dhjetor ’90” me Urdhërin “Nderi i Kombit”, me një motivacion për kontributin madhor dhe vetëmohim të jashtëzakonshëm në vendosjen e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.
“8 dhjetori i vitit 1990 shënoi në historinë e Shqipërisë ditën e së vërtetës, castin e ndarjes midis dy epokave. Që nga 8 dhjetori i vitit 1990, shqiponja dykrenare në flamurin tonë kombëtar do të fluturonte e lirë, pa yllin pesëcepësh komunist mbi kokë dhe shpirtrat e cliruar të njerëzve do të shpërthenin më së fundi me thirrjet “liri-demokraci” dhe “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa””, është shprehur Topi në ceremoni.
Presidenti i bëri edhe një homazh të gjatë Azem Hajdarit, të cilin e cilësoi si një njeri të aksionit, të mbrujtur fort me vetëmohim.
Në emër të lëvizjes dekoratën e tërhoqi kryetari i grupimit “Dhjetor 90”, Bislim Ahmetaj. Në vijim, kreu i shtetit priti përfaqësues të medias në pritjen tradicionale të vitit të ri.
Në fjalën e tij presidenti nënvizoi përmirësimin e dukshëm të teknologjisë, të përmbajtjes programore dhe të cilësisë së gazetarëve, por edhe ndikimin e mediave në debatin politik dhe pasqyrimin e fatkeqësive natyrore.
“Sigurisht, viti ka qenë mjaft i pasur, i ngarkuar, qoftë me ngjarje politike, qoftë me ngjarje të tjera. Ju keni qenë prezent jo vetëm duke e përcjellë lajmin politik, por edhe duke debatuar me opinione të ndryshme, duke u bërë ndoshta komplementarë të një situate, së cilës ndoshta i ka munguar ndonjëherë debati politik institucional. Patjetër që ju keni përcjellë edhe situata, të cilat kanë pasur të bëjnë drejtpërdrejt me fatkeqësi natyrore. Keni përcjellë momente të gëzuara sikurse ka qenë liberalizimi i vizave duke u bërë pjesë e gëzimeve, por edhe shqetësimeve që ka shoqëria në përgjithësi. Unë dëshiroj vetëm t’ju falenderoj! Urimet më të mira për një vit të mbarë, në radhë të parë të shëndetshëm, pastaj të suksesshëm! Ju falemnderit dhe urime!””, ka deklaruar Topi.
Më pas pritja vijoi në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore. Presidenti takoi nga afër të gjithë të pranishmit, duke i uruar ata njëpërnjë.
Top Channel