
Firmoset marreveshja që mund të ndryshojmë operator celular pa ndërruar numër.
Sot kryetari i Bordit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) Z. Piro Xhixho dhe administratori i Infosoft System Z. Grigor Joti (fitues i garës së hapur, të shpallur nga AKEP) nënshkruan marrëveshjen për portabilitetin e numrit.
Një ceremoni ku ishte i pranishëm ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Z. Genc Pollo.
“Sot realizojmë marrëveshjen e portabilitetit të numrit, çka ka qenë një synim për mua dhe kolegët e mi, qysh në fillimet e kësaj detyre. Falë nismave, vendimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me AKEP-in, sot arritëm që t’ i gjejmë zgjidhjet, kontraktorët dhe çka është më e rëndësishme, që në pranverë të 2011-ës çdo shqiptar me celular mund të ruajë numrin e vet, por të ndryshojë operatorin sipas dëshirës. Dhe kjo do të thotë më shumë zgjedhje për përdoruesit, më shumë konkurrencë për operatorët, shërbim më të mirë dhe çmime më të lira, në tregun shqiptar. Pra e përmbledhur, avantazhe më të mëdha për konsumatorët”, është shprehur Pollo.
Portabiliteti ose bartshmëria e numrit personal të celularit do të thotë që një klient i një operatori celular, (Vodafone, AMC, Eagle, Plus) nëse i pëlqen shërbimi i një operatori tjetër, mund të ndërrojë operatorin, por duke e ruajtur numrin e tij. Pra, me portabilitetin, numri nuk do të jetë më pronë e një operatori.
Në momentin kur shërbimi i portabilitetit të jetë 100% funksional në vendin tonë, kalimi nga një operator në tjetrin do të kryhet brenda 2 ditësh, pa shpenzime për përdoruesin.
Nismat e fundit të qeverisë si portabiliteti i numrit, teknologjia 3G, si dhe masa të tjera që do të ndërmerren bëjnë të mundur rritjen e konkurrencës në treg, që do të thotë çmime më të lira dhe shërbime më të mira.
Top Channel