Prej gati dy dekadash, Milo Gjukanoviç ka qenë protagonisti i padiskutueshëm i skenës politike malazeze.

Karizmatik dhe elokuent, gjithmonë elegant në veshje, gati 2 metra i gjatë çka e nxirrte si në kuptimin e parë të fjalës, ashtu dhe në atë figurativ, gjithmonë një kokë me lart rivaleve, në çdo situatë Gjukanoviç ia ka dalë mbanë t’i bëjë ndryshimet të duken gjëja më e natyrshme dhe e pranueshme nga votuesit pa shumë hezitim.

Dorëheqja e tij shënon fundin e një epokë për shtetin e vogël ballkanik në brigjet e Adriatikut.

Babai i pavarësisë së Malit të Zi, siç e quajnë shumë, ka dhe etiketime të tjera.

Njeriu i hekurt, për qendrimin e pamëshirshëm dhe këmbënguljen, brisk-rrojë për gjuhën e mprehtë.

Përveç një periudhe të shkurtër nga tetori 2006 deri shkurtin e 2008-tës, ai ka qenë në pushtet që prej vitit 1991, kohë gjatë së cilës i hyri dhe biznesit privat, pa hequr dorë megjithatë nga pozicioni në krye të partisë social-demokrate.

Ish basketbollisti Gjukanoviç ka shumë fytyra: komunist dogmatik, nacionalist serb, si njeriu qe e vuri Malin e Zi në rrugën e pavarësisë, por edhe si europian i flaktë.

Dikur bashkëpunëtor i Sllobodan Millosheviçit, politikani i jashtezakonshëm jo vetëm do të ndihmonte në përmbysjen e ish mentorit të tij, por edhe do të shndërrohej në të preferuar të perëndimit.

Pikërisht ky mendohet të jetë edhe shkaku përse u la e fjetur çështja e kontrabandës së cigareve, që sillte fitime miliarda dollarëshe për mafian e humbje të mëdha për shtetet perëndimore.

Që në vitin 2001 Brukseli lejoi futjen e euros në Mal të Zi, megjithëse ky vend nuk plotëson deri më sot asnjë kriter të vetëm.

Për liderin e ardhshëm Malit të Zi, drejtimi nuk ka për të qenë një mision i lehtë.

Sado që Gjukanoviç pretendon të kundërtën, vendi është në reçesion, ndërsa kreut të ri të ekzekutivit do t’i duhet një punë kolosale që t’i tregojë botës, e sidomos bllokut europian, se lufta kundër krimit të organizuar është marrë seriozisht.

Ashtu si me Medvedevin dhe Putinin në Rusi, shumë besojnë se nëse frerët e pushtetit do t’i marrë ministri 34 vjeçar i Financave Igor Luksic, një mbështetës besnik i tij, fijet nga prapa kuintave do të jetë po Gjukanoviç që do t’i tërheqë, ashtu siç ndodhi dhe gjatë dorëheqjes së tij të fundit në 2006-tën.

Top Channel