Kadriovski, bos i mafias ballkanase

22/12/2010 15:30

Daut Kadriovski, i datëlindjes 1948, vendlindja Shkup, është shqiptari më i përfolur nga të gjitha agjencitë e zbulimit në botë si trafikant droge.

Shumë prej miqve të tij janë arrestuar në Evrope në vitet ‘80, gjatë transportimit të drogës, e cila dyshohej të ishte e porositur prej tij.

Në vitin 1984 ai i shpëtoi burgut në Turqi, ku njihej si pjesëtar i organizatës Ujqërit Gri, ndërsa shumë prej miqve të tij u arrestuan.

Por një vit më pas, në 1985-ën arrestohet në Gjermani, nga ku del nga burgu vetëm në fillim të viteve ‘90, për t’u rikthyer në zonat që kontrolloheshin nga miqtë e tij, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni, që në atë kohë ishin ende në ish-Jugosllavi.

Në mesin e viteve ’90, ai akuzohej nga mëse 13 shtete për trafik të lëndëve narkotike. Në shumë prej raporteve të trafikut të droges haset emri i Kadriovskit, ndërkohë që ai do të arrestohej në një nga shtetet që nuk e priste, Shqipëri.

Më 3 tetor të 2001-shit ai arrestohet në Golem të Durrësit, ku kishte më shumë se dy vjet që banonte.

Në Shqipëri, Kadriovski, i arrestuar për llogari të shumë shteteve, kërkoi ekstradim në Maqedoni, por u refuzua, duke u dërguar në Romë, ku duhet të vuante një dënim me 12 vjet heqje lirie, që i ishte dhënë nga gjykata italiane.

Momenti i lirimit nga burgu në Romë mbetet i paqartë, ndërsa aktualisht Daut Kadriovski banon në Maqedoni.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta