
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi ka deklaruar se prokuroria e Shkodrës i dha përgjigjen e merituar pretendimeve të kryetarit të PS Edi Rama, për manipulim të zgjedhjeve në qytetin verior.
“Ka një muaj që Edvin Rama e di se prokuroria ka hapur kutitë, ka numëruar votat, ka verifikuar materialet dhe mbi këtë bazë ka konkluduar se: “Pretendimet e opozitës janë të pabaza. Në Shkodër nuk ka patur manipulime, nuk ka patur parregullsi”. Vendimi i prokurorisë së Shkodrës pas hetimit dhe hapjes së kutive është demaskimi më i fortë i pseudo-pretendimeve të Edvin Ramës”, ka pohuar Halimi.
Ai është shprehur se hapja e kutive në Shkodër dhe rikonfirmimi i rezultatit zgjedhor është përgjigjja më e fortë që shteti ligjor i ka kthyer Ramës.
“Ky shembull është ilustrimi më i mirë se zgjedhjet e 2009-ës kanë qenë më të mirat. Ato vërtetuan se janë pasaporta e liberalizimit të vizave. Vajtojësit e zgjedhjeve kanë humbur cdo alibi për t’i goditur ato”, ka shtuar Halimi.
Top Channel