
Ekonomia shqiptare nuk po i lë dot pas efektet e krizës, duke vazhduar të shënojë norma të ulëta rritjeje.
Madje, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani deklaroi se rritja ekonomike do të jetë e ngadaltë edhe vitin e ardhshëm.
“Aktiviteti ekonomik në vitin e ardhshëm do të jetë në linjë me ecurinë gjatë vitit 2010. Rritja do të ketë ritme pozitive, por do karakterizohet nga mundësitë e pashfrytëzuara”, deklaroi Fullani.
Zoti Fullani sqaroi se rritja ekonomike po kushtëzohet nga konsumi i ulët i familjeve, por edhe investimet e pakëta të biznesit.
“Ecuria e shpenzimeve konsumatore kushtëzohet nga mundësia dhe investimet private. Biznesi dhe konsumatori kanë hapësira për rishikimin e sjelljes së tyre”, theksoi ai.
Përkundër këtyre vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, qeveria ka një tjetër parashikim për rritjen ekonomike.
Në buxhetin e vitit të ardhshëm, qeveria ka parashikuar zyrtarisht një rritje prej 5.5 për qind, e njëjtë gati me mesataren historike përpara se vendi të prekej nga kriza.
Top Channel