Berisha: Marty, avokat i Serbisë

22/12/2010 11:30

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Sali Berisha i ofroi EULEX dhe gjykatës ndërkombëtare të Hagës të gjitha lehtësirat e Shqipërisë për të hetuar mbi akuzat, edhe pse të pabazuara në asnjë fakt të Dick Marty, për trafik organesh në territorin e Shqipërisë.

Se shpejti ministri shqiptar i Drejtësisë, nëpërmjet një letre, do të garantojë kryetarin e gjykatës së Hagës se në Shqipëri nuk do të kenë asnjë kufizim për këtë hetim.

Hapi tjetër i autoriteteve shqiptare ka të bëjë me dërgimin e saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

“Delegacioni shqiptar në Këshillin e Europës do të nisë punën me një kërkesë të vetme dhe unike, Dick Marty t’i dorëzojë provat autoriteteve të EULEX, nëse ka, përndryshe ai ka bërë një abuzim shumë të rëndë me besimin e këtij insitucioni. Është në detyrimin e tij që cdo fakt ta dorëzoje tek EULEX. Unë garantoj EULEX, BE dhe KiE se Shqipëria dhe kjo qeveri do të krijojnë cdo lloj lehtësie të nevojshme për cdo lloj hetimi që kanë nevojë për këtë cështje”, ka deklaruar Berisha.

Për kryeministrin është e papranueshme hedhja e akuzave të bazuara në dyshime të dëshmitarëve pa emra dhe pa dhënë as edhe një provë të vetme.

“Se cfarë do të thoshte ky zotëri nëse një deputet shqiptar në Këshillin e Europës të ngrihej dhe të thoshte se dëshmitarët që nuk duan të identifikohen i kanë dhënë para për të bërë këtë deklaratë, apo se kanë parë dëshmitarë që e kanë paguar, apo se shërbimet e huaja të besueshme më kanë thënë gjëra për Dick Mërty, por nuk mund t’i them ketu?”, është shprehur Berisha.

Kryeministri e portretizoi Dick Marty-n si një nga politikanët e hershëm anti-shqiptarë, që ka bërë avokatin e Serbisë së madhe, duke mos pranuar kurrë krimet monstruoze të serbëve në Kosovë, që ka qenë jo vetëm kundër ndërhyrjes së NATO-s për clirimin e Kosovës, por edhe kundër pavarësisë së saj.

Top Channel