“Raporti, hakmarrje për Lumën”

22/12/2010 12:20

Deklarimet e raporterit të Këshillit të Evropës, Dik Marti se në komunën Bicaj të Kukësit ka varreza masive të ushtarëve dhe civilëve serbë, ka ngjallur reagime të ashpra tek banorët, drejtuesit lokalë si dhe historianë të trevës së Lumës.

Kryetari i komunës së kësaj njësie vendore hedhë poshtë në mënyrë kategorike që të ketë varreza masive serbe në territorin e tij.

“Unë si kryetar i qeverisjes lokale deklaroj se në komunën tonë nuk ka gjëra të tillë dhe asnjëherë nuk janë përmenduar në këtë zonë”, është shprehur kryetari i komunës Bicaj, Arben Korbi.

Ndërsa banorët dhe studiuesit e kësaj krahine, deklaratën e Dik Martit e lidhin si një hakmarrje ndaj popullit të Lumës ku në konfliktet e viteve 1912, 1913 dhe faktit që një ushtri prej 12 mijë serbësh është vrarë e gjitha në Lumë.

“Për tetë muaj rresht nuk ka pasur as edhe një kufomë apo serb që ka shkelur ne vendin e quajtur Bicaj. I duhet një komision ndërkombëtar që të vijë të na thotë se ku ka ndodhur kjo ngjarje në Bicaj”, deklaroi historiani Agim Braha.

“Kjo është një hakëmarrje për ngjarjen e Lumës”, shton Riza Halili, banor i Bicajt.

Gjatë konfiliktit në Kosovë në vitin 1999 mbi 35 mijë kosovarë të dëbuar nga serbët janë strehuar në familjet e zonës së Lumës.

Top Channel