
Prej kohësh socialistët kanë deklaruar se nëse nuk do të marrin garancitë e nevojshme për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, atëherë ata nuk do të lejojnë mbajtjen e tyre.
Një deklaratë e bërë shpesh herë nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama: “Nuk do të lejojmë të bëhen zgjedhje në Shqipëri nëse nuk lejohet që populli të votojë lirisht”.
Por si përkthehet kjo deklaratë? Sipas shumicës, socialistët po paralajmërojnë bojkotin e zgjedhjeve çka kundërshtohet dhe nuk tolerohet nga institucionet ndërkombëtare.
Në fakt plani i selisë rozë dhe i opozitës në tërësinë e saj nuk ka të bëjë me mospjesëmarrjen në zgjedhje. Socialistët kanë në kokë disa skema për të penguar zhvillimin e zgjedhjeve në rast se mazhoranca aktuale nuk do të lejojë ngritjen e komisionit hetmor, pra hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Mjaft të rezervuar në pohimet e tyre socialistët megjithatë jo zyrtarisht pranojnë ekzistencën e këtyre pikave mbi të cilat mbështetet plani në rastin e mosgjetjes së gjuhës së përbashkët.
Njëra pikë është ajo që sheh Partinë Socialiste të tërheqë të gjithë komisionerët e saj në të gjithë komisionet, nga ai qendror në atë të qendrave të votimit, çka do të sillte bllokimin e proçesit.
Pika e dytë lidhet me bllokimin e të gjitha qendrave të votimit nga militantë të opozitës çka do të shkaktonte kaos në proçes, vonesa dhe bllokime të tij.
Një tjetër pikë që merret në konsideratë nga selia rozë është edhe ajo që sheh protestues të opozitës që bllokojnë akset kryesore kombëtare.
Burimet nga Partia Socialiste konfirmojnë se ekziston një ide që këto tre pika të shkrihen në një aksion të përbashkët pra teksa komisionerët tërhiqen nga komisionet, militanët bllokojnë qendrat e votimit, ndërsa të tjerët rrugët nacionale.
Duke skartuar plotësisht bojkotin si një plan që sipas socialistëve ka 0 përqind mundësi të ndodhë, këto janë tre pikat mbi të cilat të paktën parimisht mbështet plani opozitar gjithmonë nëse mazhoranca nuk do të bëjë një kthesë të papritur duke i dhënë mundësinë partive të opozitës të hetojnë zgjedhjet e 28 qershorit, kjo do të ishte e vetmja mënyrë që rruga drejt zhgjedhjeve të majit të ishte brenda kuadrit normal të një vendi demokratik.
Në të kundërtën proçesi i ardhshëm do të shndërrohet thuajse në një ring ku dy forcave politike do t’u duhej të testonin forcën e tyre në një përballje të drejtëpërdrejtë që s’do të kishte asnjë lidhje me një proçes zgjedhor.
Top Channel