Sukth, protestë për energjinë

21/12/2010 20:15

Banorë të Sukthit dhe biznese kanë protestuar paraditen e sotme ndaj mungesës së tejzgjatur të energjisë elektrike e cila ka cënuar edhe furnizimin e tyre me ujë të pijshëm.

Protestuesit kanë bllokuar për afro gjysëmë ore rrugën Sukth-Manze dhe deklarojnë se do i përshkallëzojnë protestat në rast se nuk ndërhyhet.

Banorët deklarojnë se prej një muaji kanë ndërprerje të zgjatura të energjisë dhe një furnizim pa cilësi.

Tensioni i ulët u ka nxjerrë jashtë funksionimit një pjesë të mirë të pajisjeve shtëpiake, ndërkohë që gjatë 10 ditëve të fundit energjia ka munguar në një zonë të Sukthit.

Sipas banorëve, transformatori i tyre është dërguar drejt Shkodrës duke i ndëshkuar ata me terr.

Bllokimi i rrugës ka vënë në lëvizje shërbimet e policisë së Shijakut të cilat kanë bërë shoqërimin në komisariat të 6 prej protestuesve.

Ndërkaq prefekti i qarkut të Durrësit ka ndërhyrë pranë drejtuesve të lartë të CEZ-it për të zgjidhur sa më shpejt situatën në Sukth.

Probleme në furnizimin me energji elektrike kanë dhe zona të tjera të rrethit bregdetar, përfshirë dhe qytetin e Durrësit.

Top Channel