Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Tom Countryman ka deklaruar se, nëse raportuesi i KiE, Dick Marty ka prova për akuzat e tij ndaj kryeministrit kosovar Hashim Thaci dhe ish-drejtuesve të UCK-së, atëherë duhet t’ia kalojë ato hetuesve të EULEX-it për hetim.

“EULEX-i tashmë ka hetuar akuzat e mëparshme. Nëse ekzistojnë prova të reja, apo dëshmitarë të rinj, atëherë dokumentacioni duhet t’i përcillet EULEX-it dhe autoriteteve kompetente për hetim”, ka deklaruar Countryman për VOA.

Ai është shprehur se Shtetet e Bashkuara janë në pritje të një qëndrimi pozitiv nga qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës, për të bashkëpunuar në këto hetime.

“Disa herë kemi theksuar se asgjë nuk është më e rëndësishme sesa vendosja e sundimit të ligjit në tërë Evropën jug-lindore. Për fat të keq, ende sot ka krim të organizuar jo vetëm në jug apo veri të Kosovës, por në cdo vend të rajonit”, ka shtuar Countryman.

Top Channel