Anëtari i kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri ka deklaruar se kjo parti dëmtoi vetëveten në zgjedhjet e 12 dhjetorit, për shkak të një lufte të brendshme në radhët e saj.

“U dëmtuam nga njerëz të partisë, që brenda natës zunë ekranet televizive dhe mohuan cdo gjë që ishte krijuar nga LDK-ja në 21 vjet”, ka pohuar Haziri për të përditshmen kosovare “Express”.

Ai ka bërë përgjegjës edhe vetë kryetarin Isa Mustafa, që sipas tij bëri një jehonë negative me deklaratat se ish-ministrat nuk do të përfshihen në qeveri.

“Megjithatë, ne jemi të përgatitur për opozitë dhe ata që do të qeverisin nuk do ta kenë të lehtë me një opozitë si ne”, është shprehur Haziri.

Duke komentuar situatën në Kosovë, ai ka shtuar se demokracia në shtetin e ri është lënduar jashtëzakonisht nga “keqbërësit”, njerëzit dhe grupet autokrate që sipas tij synojnë të kontrollojnë vendin.

Top Channel