Kasat, përçahen tregtarët

21/12/2010 16:15

Ndonëse Ministria e Financave ka vënë afat deri me 31 dhjetor për vendosjen e kasave fiskale, subjektet në tregun industrial shprehen të revoltuar se do të refuzojnë çfardolloj afati dhe gjobe që t’u vendoset.

“Nuk duam kasa këtu. Këtu është treg i lirë. Çdo prej nesh ai do të mbushë arkën e shtetit”, shprehet një tregtar.

“Nuk e perballojmë dot shumica e tregtarëve do të falimentojnë. Le t’i vendosim gjobën, nuk e përballojmë dot”, tha një tjetër tregtar.

Të paktë janë tregtarët të cilët kanë blerë kasën fiskale me shpresë se do të kompensohen ashtu sikundër ka premtuar kryeministri i vendit, Sali Berisha, por ka dhe nga ata të cilët ende nuk kanë vendosur pasi do t’i bashkangjiten vendimit në shumicë të tregtarëve.

“Jemi të detyruar që t’i vëmë në 31 në punë. Ne i kemi marrë kasat, por ende si kemi vendosur”, deklaroi një tregtar.

“Është një pjesë e mirë e tregut që si ka vendosur. Nuk mundet që ca ti vendosin dhe ca jo”, shtoi një tjetër.

Subjekte të tjera të cilët i janë bindur urdhrit të qeverisë që t’i blejnë kasat kundrejt çmimit 450 euro pasi do të kompensohen duke mos shlyer detyrimet që kanë ndaj pushtetit vendor nuk i kanë vënë ende në përdorim ato.

Pak muaj më parë debati për kasat fiskale çoi në protesta të tregtarëve që i refuzonin ato.

Top Channel