EULEX-i përmes një letre i kërkon të dërguarit të Këshillit të Europës, Dik Marti, të dorëzojë dëshmitë apo informatat e Prokurorisë për të zbardhur akuzat e ngritura në projektraport.

Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal tha se “Prokuroria i bazon hetimet në dëshmi konkrete dhe u bën thirrje të gjithëve, përfshirë edhe të dërguarit të Këshillit të Europës. Sipas saj, misioni po heton dhe ndjekë një numër rastesh që lidhen me krimet e luftës dhe krimin e organizuar.

I dërguari i Këshillit të Europës, Dik Marti-përmes projektraportit të tij akuzoi drejtpërdrejtë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi si përgjegjës për drejtimin e një rrjeti të krimit të organizuar që trafikonte organe njerëzore, të marra nga të burgosurit e vrarë.

Edhe Bashkimi Europian i bëri thirrje Martit të dorëzojë dëshmitë dhe akuzat e paraqitura në raportin e tij.

Në një deklaratë të mëhershme për BBC-në, Maja Kocijançic, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme tha se “Misioni i BE-së për Rendin dhe Ligjin, që është vendosur në Kosovë, ka hetuar dhe vazhdon të hetojë një numër të rasteve të krimit të organizuar, përfshirë edhe trafikimin me organet njerëzore”.

“Prokurorët dhe hetuesit e Misionit të BE-së për Rendin dhe Ligjin hetuan rastin e të ashtuquajturës ‘Shtëpi e Verdhë’ – sic tha ajo – por deri tani, nuk kanë gjetur asnjë dëshmi që të bën të besosh se ‘trafikimi i organeve’ është kryer në këtë vend”.

Projektraporti i zotit Marty pritet të diskutohet në një mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës në fund të muajit janar.

Top Channel