Kuvendi i Shqipërisë ka pasur dijeni për mbledhjen ku u miratua raporti i deputetit zvicerian Dick Marty.
Sekretariati i Komisionit të cështjeve ligjore dhe të drejtave të njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës konfirmoi për Top Channel se Kuvendi i Shqipërisë është njoftuar një javë përpara mbledhjes, në rrugë elektronike, në formën dhe mënyrën e përcaktuar nga praktika e komunikimeve me parlamentet kombëtare.
Në sekretariatin e delegacionit shqiptar, nuk e fshihnin sikletin që shkakton kjo cështje, por nuk shpjegonin se pse asnjë nga deputetët shqiptarë nuk ishte njoftuar për mbledhjen.
Arben Ahmetaj, që është nënkryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ka një shpjegim të tijin.
“Delegacioni jonë vuan pjesëmarrjen edhe për shkak të mungesës së mbështetjes financiare nga Kuvendi. Kur ne shkojmë në Bruksel si delegacion mund të qëndrojmë vetëm dy ditë dhe për arsye qesharake financiare ne nuk mund të marrim pjesë në komision. Por nga ana tjetër ka edhe keqorganizim”, shprehet Ahmetaj.
Por ajo që u bë, nuk zhbëhet më. Cështja është se projekt-rezoluta, që u miratua nga Komisioni i cështjeve ligjore mbi raportin e deputetit Dick Marty, do të votohet nga Asambleja Parlamentare në janar. Cili do të jetë qëndrimi i deputetëve shqiptarë?
Komunikimi me kryetarin e delegacionit shqiptar për këtë cështje ishte i pamundur. Kurse deputetja tjetër demokrate Lajla Përnaska, nuk pranoi të prononcohet.
Deputeti Ahmetaj tha se do të mbronte qëndrimin e shprehur ndërkaq nga partia e tij. “Qëndrimi im do jetë i përputhur me atë që ka thënë kryetari i PS, që ky raport është një goditje ndaj kombit shqiptar, ndaj Kosovës dhe është i qëllimshëm”, deklaron Ahmetaj.
Qëndrim të ngjashëm do të mbajë edhe deputeti Idrizi. “Unë, edhe për faktin se Dick Marty ndodhet në të njëjtin grup parlamentar me mua, do ta ngre këtë cështje për të trajtuar raportin e tij. Ai përmban një tendencë politike dhe anti-shqiptare”, pohon Idrizi.
Projekt-rezoluta kërkon një seri hetimesh kombëtare dhe ndërkombëtare mbi trafikun e mundshëm të organeve dhe lidhjeve me krimin e organizuar të drejtuesve aktualë kosovarë, gjatë kohës që ata ishin në krye të UCK-së.
Top Channel