Raporti i Dik Martit në KiE, përgjegjësi direkte e Topallit

20/12/2010 08:25

Ish-zëvendëspresidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës, njëkohësisht ish-kryetari i delegacionit shqiptar në KiE, Aleksandër Biberaj fajësoi Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin dhe kryetarin e delegacionit shqiptarë në këtë delegacion, Ilir Rusmalin në lidhje me mospjesëmarrjen në Strasburg gjatë kohës kur diskutohej dhe miratohej raporti i Dik Martit për Kosovën.

Në një prononcim për “Shqip”, Biberaj theksoi se çfarëdo pretendimi të ngrinin Topalli dhe Rusmali, mospjesëmarrja e delegacionit të Shqipërisë në KiE, është e pafalshme dhe e kritikueshme. “Delegacioni ynë duhet të shkonte dhe të merrte pjesë aktivisht në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut në Strasburg për të folur në lidhje me akuzat e Dik Martit ndaj drejtuesve të UÇK-së, dhe po kështu të mbante qëndrimin e tij nëpërmjet votës”, – thekson ish- kryetari i delegacionit të Shqipërisë në KiE, Aleksandër Biberaj.

“Mospjesëmarrja është përgjegjësi e qartë e spikeres së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetarit të delegacionit, Ilir Rusmali”, – theksoi Biberaj. Sipas tij, Këshilli i Europës është tepër korrekt për sa i përket ftesave që dërgon në lidhje me veprimtaritë e tij, dhe këto njoftime i shkojnë në dy kopje Kryetares së Kuvendit dhe kryetarit të delegacionit. “Nuk mund të pretendohet se Kuvendi nuk kishte dijeni për zhvillimin e kësaj mbledhjeje, sepse përveç korrespodencës zyrtare, Këshilli i Europës nxjerr në websitin e tij çdo aktivitet që do të zhvillohet”, – theksoi ish-zëvendëspresidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës, Biberaj.

Drejtuesit e mazhorancës e kanë dënuar ashpër raportin e raporterit të KiE-së, Dik Marti, sipas të cilit drejtuesit e UÇK-së, dhe madje Kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi kanë qenë pjesë e trafikut të organeve që është bërë me ushtarët serbë gjatë luftës mes dy vendeve. Po kështu, ky raport i miratuar në Komisionin e Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut është kritikuar ashpër edhe nga opozita, por asnjë deputet i delegacionit shqiptar nuk ka qenë pjesë e diskutimit dhe miratimit të tij në Strasburg.

Deputetët shprehen se ata nuk ishin njoftuar për një mbledhje të tillë, në një kohë kur ky raport është konsideruar si shumë i rëndësishëm në lidhje me të ardhmen e Kosovës.

Nga ana tjetër, nuk ka asnjë arsye publike nga ana e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetarit të delegacionit shqiptar në KiE, Ilir Rusmalit për këtë mungesë.

Burimet theksojnë se një nga arsyet pse delegacioni shqiptar nuk është paraqitur në këtë mbledhje të rëndësishme, lidhet me mungesën e fondeve.

Top Channel