Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, deklaroi dje në Beograd se, për shkak të dëmtimit të tendinës të Akilit të këmbës së djathtë, ai gjatë  dy javëve të ardhshme do të bëjë një operacion në këtë këmbë që do ta mbajë atë, në një shkallë të caktuar, disi larg veprimtarive politike, sidomos atyre të jashtme.

“Sidoqoftë, do të vazhdoj të përpiqem që gjatë të gjithë kohës, ashtu sikurse kam vepruar edhe më parë kur kam pasur nevojë për ndërhyrje mjekësore, të realizoj angazhimet e mia të punës”, – u tha Presidenti serb, gazetarëve në qendrën “Sava” të Beogradit, gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e 8-vjetorit të krijimit të partisë konservatore liberale serbe “G17 Plus”.

Sikurse vë në dukje media serbe, dukej qartë se Tadiçi çalonte, ndërsa ecte duke u mbështetur te një shkop. Ai gjithashtu tha se tendinën e Akilit e kishte dëmtuar duke luajtur basketboll dhe se do të operohej në Serbi. “Do të më duhet të luftoj edhe me një këmbë”, – tha Tadiçi, duke qeshur dhe duke lënë të kuptohet se ai do të përpiqet të vazhdojë që t’i kryejë detyrat e tij presidenciale ashtu edhe si më parë. Ai tha se mjekët e kishin këshilluar që të operohej sa më shpejt dhe se operacionin ai do ta kryente në Banjica, ndoshta në klinikën ‘VMA’.

“Kjo do të ndodhë në një nga ditët e dy javëve të ardhshme, sikurse mund të them se Serbia do të hyjë në Bashkimin Europian në një nga vitet e 10 viteve të ardhshëm, dhe jo pas 10 vitesh”, – tha kryetari i shtetit serb, ndërsa theksoi se, duke qenë se ai është një “njeri i disiplinuar” ai i dëgjon një për një këshillat e mjekëve.

Top Channel