Mirel: Konsensusi ndërmjet PD e PS, para mbylljes së vitit

20/12/2010 08:15

Komisioni Europian kërkon nga politika shqiptare të gjejë paqen dhe të arrijë konsensusin në ditët e fundit të vitit 2010.

Apeli për politikanët shqiptarë ka ardhur nga drejtori për Ballkanin Perëndimor pranë Komisionit Europian, Pierre Mirel. Thirrjet e vazhdueshme për konsensusin vijnë në kulmin e debatit politik për konkretizimin e hetimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009.

Kjo është java e fundit kur Shqipëria ka shanset për të treguar pjekurinë e saj dhe të shtrijë dorën e të hapë dyert për ngritjen e komisionit që do të hetojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të një viti e gjysmë më parë. “Pres tani që jemi në fundvit. Në fund të vitit njerëzit bëjnë gjithnjë thirrje për harmoni. Shpresoj që politika juaj të gjejë harmoninë, në mënyrë që të na japë, mua dhe ndërkombëtarëve të tjerë, mundësi për të vizituar Shqipërinë”, – tha Mirel.

Thirrja e përsëritur e drejtorit të Ballkanit Perëndimor pranë Komisionit Europian, një ndër negociatorët për zgjidhjen e krizës në 20 maj tek “Krokodil”, vjen për liderët e Tiranës në formën e urimit të fundvitit. Një tjetër porosi e Mirel për politikën dhe tërë shqiptarët, është kujdesi me afatet e lëvizjes së lirë. Ai njofton se 2011-a do të jetë viti vendimtar dhe më rreptësisht i monitoruar.
“Vendimi ka qenë relativisht i vështirë për t’u marrë, pasi ka pasur abuzime me sistemin nga vende të tjera. E rëndësishme është të respektohen kushtet. 2011-a është vit vendimtar. Askush brenda vitit 2011, por dhe më pas nuk duhet t’i shkelë ato. Sigurisht, prova dhe monitorimi do të vazhdojë edhe përtej vitit të ardhshëm. Përditë. Kushtet duhen respektuar”, – tha ai.
Zyrtari i Brukselit ishte në Tiranë në fillim të nëntorit për t’i dorëzuar Kryeministrit opinionin për statusin e vendit kandidat.

Krahas dokumentit ai la për liderët e Tiranës dhe 12 porositë për përgjigje pozitive për statusin kandidat vitin e ardhshëm.

Top Channel