Incident me Marko Bellon, pezullohet polici i krimeve

20/12/2010 08:00

Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello ka rënë pre e një incidenti me një oficer policie të hetimit të krimeve.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, kur Bello ka qenë me mjetin e tij pranë banesës te rruga “Komuna e Parisit”, në Tiranë. Menjëherë janë vënë në lëvizje gjithë strukturat e policisë kryeqytetase, duke i kërkuar falje deputetit socialist, por nga ana tjetër, është vendosur pezullimi i punonjësit të policisë Ali Gj.

Sipas të dhënave hetimore, gjithçka ka nisur rreth orës 16:00, kur deputeti Bello po parkonte mjetin e tij, ndërkohë që nga pas ishte një makinë tjetër civile. Nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes mësohet se Bello i ka kërkuar drejtuesit të mjetit që vinte pas tij që të ecte pak mbrapa, me qëllim për të hapur vend, por drejtuesi i mjetit nuk ka pranuar.

Në këto kushte, mësohet se ka pasur shkëmbim fjalësh dhe drejtuesi i mjetit civil ka zbritur nga makina, duke bërtitur dhe duke ofenduar deputetin. Marko Bello, i shtangur nga ky reagim, kur ka parë edhe armën që mbante në brez personi civil, i ka treguar atij se ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Personi debatues mendohet se i ka kërkuar menjëherë falje deputetit socialist, por ka këmbëngulur se ai e kishte ofenduar.

Nga kjo situatë e krijuar, dëshmitarët kanë njoftuar shërbimet e policisë dhe pa vonuar, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit nr. 2. Patrullat e policisë janë ndjekur edhe nga drejtuesit e komisariatit, por edhe të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Një incident i tillë ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, ndërkohë që sipas të dhënave, fillimisht Bello ka dashur të denoncojë punonjësin e policisë.

Më pas, pas qetësimit të situatës, deputeti është vënë në dijeni se drejtuesi i mjetit ishte punonjës policie dhe që nuk e kishte njohur. Burimet policore thanë se deputeti dhe punonjësi i policisë janë takuar në një kafe. Pretendimet e deputetit kanë qenë se e kishte ofenduar në publik, ndërkohë që punonjësi i krimeve ka ngritur pretendimin se ishte ofenduar i pari nga Marko Bello. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk ka pranuar të denoncojë, kështu që incidenti është mbyllur pa asnjë kallëzim.
Por, çështja nuk është mbyllur me kaq për punonjësin e policisë. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, ai punonte me hetimin dhe parandalimin e krimit pranë Komisariatit nr. 3. Ai është thirrur nga drejtuesit e policisë kryeqytetase, ku ka sqaruar se çfarë kishte ndodhur. Gjatë deklarimit të tij mbi këtë çështje, polici është shprehur se nuk e ka njohur deputetin socialist dhe ka kërkuar ndjesë për këtë incident të ndodhur.

Por, drejtuesi i policisë ka vendosur pezullimin e tij paraprak. Ai pritet të dalë në komision për sjellje jo të hijshme të punonjësit të policisë me qëllim për të rifituar vendin e punës. Pas këtij incidenti, deputeti Bello nuk është paraqitur në polici, duke e cilësuar si një çështje të mbyllur, pavarësisht se fati i punonjësit të hetimit të krimeve nuk dihet pas debatit të djeshëm me të.

Parlamentari socialist ka insistuar edhe në një komunikim telefonik me “Shqip” se, incidenti është mbyllur dhe nuk ka dramatizuar situatën.  

Top Channel