Greqia përshpejton dhënien e lejeve të qëndrimit tek emigrantët e papunë, mes të cilëve shumë shqiptarë.
Ministria greke e Punës ka njoftuar se do të përshpejtojë procedurat e dhënies së lejeve të qëndrimit që iu ka mbaruar afati, për ata emigrantë që nuk mund ta rinovojnë atë për arsye se janë të papunë dhe nuk mund të dorëzojnë numrin e duhur të ditëve të sigurimeve shoqërore.
Njoftimin e ka bërë vetë zv.ministrja e Punës, Ana Dalara, në një fjalim të saj në kuadrin e aktiviteteve në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantit.
Nga ky vendim do të përfitojnë shumë emigrantë shqiptarë, të cilët kryesisht për shkak të krizës ekonomike që po përballon vendi, kanë humbur vendet e tyre të punës, ndërsa dihet që si kusht primar për rinovimin e lejeve ka qenë gjithnjë numri i përcaktuar i ditëve të sigurimeve shoqërore.
Gjithashtu, nga ky vendim përfitojnë edhe shumë emigrantë që punojnë në të zezë në Greqi dhe nuk mund të aplikonin për lejë qëndrimi.
“Izolimi i emigrantëve nga punësimi legal dëmton shoqërinë greke, si në aspektin ekonomik, përderisa shkakton evazionin fiskal, ashtu edhe në atë shoqëror, sepse krijon grupe sociale kontradiktore dhe zona “geto” në qytetet e mëdha”, ka thënë zv.ministrja greke.
Në kuadrin e luftës ndaj punës së zezë, qeveria Papandreu do të sjellë për aprovim edhe një ligj sipas të cilit punëdhënësit që do të deklarojnë të punësuarit me anë të kartës elektronike të punës do të kenë 10% ulje të taksave të tyre në skemat e sigurimeve sociale.
Top Channel