
Duke komentuar refuzimin në komisionin e ligjeve, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se mazhoranca nuk mund të pranojë kërkesën e socialistëve, e cilas sipas tij del jashtë ligjit dhe kërkon hetim të zgjedhjeve jo konform Kushtetutës.
Sipas Berishës, kërkesa e socialistëve është e bazuar mbi dyshime dhe jo në fakte dhe për këtë ai ka kërkuar nga opozita riformulimin sërish të saj.
“Ky propozim është absolutisht i denjë për personazhe të Franc Kafkës, ose të spitaleve psikiatrike. Propozim me 9 nene, ku në 8 prej tyre hetohet dyshimi, dyshimi, dyshimi dhe në asnjë fjalë, sic kërkon rregulli i demokracisë, sic kërkon Kushtetuta, sic sanksionojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, dyshimin e bazuar në prova dhe fakte. Nëse ti pretendon të ndërmarrësh hetim mbi dyshime pa fakte dhe pa prova, atëherë ti tregon se boshti themelor i psikologjisë tënde është dyshimi. Dhe kjo përbën sëmundje psiqike”, ka deklaruar Berisha.
Lideri i mazhorancës ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me opozitën, gjithmonë nëse kjo e fundit i formulon kërkesat e saj në mënyrën e duhur.
“Ne jemi dhe do mbetemi të hapur ndaj opozitës dhe që nesër, nëse zotëria e tij pranon ta formulojë kërkesën sipas ligjeve dhe Kushtetutës, ne do ta aprovojmë menjëherë”, ka shtuar Berisha.
Top Channel