E përditshmja prestigjoze franceze “Le Monde” i ka dedikuar një shkrim të posacëm akuzave të reporterit Dick Marty mbi trafikun e organeve njerëzore, duke nxjerrë në pah faktin se ato janë të pabazuara në prova.

Gazeta, e cila citon Jacques Rupnick, një ekspert i cështjeve të Ballkanit, shkruan se edhe akuzat e ish-prokurores Carla del Ponte, të paraqitura në librin e saj, nuk kanë asnjë provë.

“Përse prokurorja e gjykatës së Hagës, që ka për detyrë të ndjekë krimet e luftës, nuk i ka nxjerrë në pah këto fakte të supozuara?”, shkruan gazeta.

Ndërsa Rupnick shprehet: “Këto akuza kanë si qëllim të bëjnë një zhurmë mediatike. Si shpjegohet ndryshe fakti se një prokurore e rangut të saj bën akuza të tilla pa ofruar asnjë provë, kur pikërisht ajo duhet t’i argumentojë ato?”.

Sipas gazetës, edhe vetë zëdhënësja e Del Ponte, Florence Hartman e kishte kritikuar kryeprokuroren se, “po bën akuza pa ofruar një grimcë prove”.

“Le Monde” citon më tej edhe ish-ministrin e Jashtëm francez, Bernard Kouchner, i cili pak ditë më parë u shpreh skeptik mbi ekzistencën e së ashtuquajturës “shtëpia e verdhë”.

Top Channel