
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, i ka dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura më së shumti në media mbi qëllimin e vizitës së kreut të LSI, Ilir Meta, në Beograd dhe takimin e tij me presidentin Boris Tadic.
Në media, vizitat e shpeshta të zotit Meta në Beograd, herë me cilësinë e ministrit të Jashtëm dhe herë me atë të ministrit të Ekonomisë, janë cilësuar si një politikë më shumë personale se sa shtetërore.
Ndërkohë që nuk kanë munguar edhe akuzat për cështjet e energjisë, për sa kohë kompanitë serbe marrin pjesë në tenderat e shitjes së energjisë elektrike.
Por për zotin Haxhinasto, vizita ka qenë krejtësisht politike. “Zoti Meta ka qenë i ftuar në kongresin e PD nga presidenti Tadic. Ka qenë një ftesë e bërë prej kohësh, të cilin ai e ka konfirmuar. Zoti Meta në Beograd ka dhënë një mesazh të qartë se raporte si ai i Dick Marty nuk duhet të përsëriten më, pasi nuk ndihmojnë të ardhmen evropiane të rajonit”, ka deklaruar Haxhinasto.
Zoti Haxhinasto këto deklarata i bëri nga qyteti i Elbasanit, ku merrte pjesë në procesin zgjedhor për kryetar të LSI-së në këtë rreth.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Jashtëm riktheksoi se në zgjedhjet e vitit të ardhshëm LSI dhe PD do të renditen në të njëjtin kalicion zgjedhor.
Top Channel