
Partia Demokratike dhe ajo Socialiste janë përfshirë sërish në debate dhe polemika lidhur me rezultatet e hetimit të prokurorisë në Shkodër, për disa qendra votimi ku pretendohej manipulim i votave.
“Pasi dështoi në të gjitha mënyrat për rivlerësimin apo hapjen e kutive, ai deklaroi se nuk njeh rezultatin e hetimit të prokurorisë. PD garanton të gjithë shqiptarët se as bosi i 20% dhe askush tjetër nuk do mund të shkelmojë votën e tyre të lirë”, ka deklaruar Albana Mustafaraj, zëdhënëse e MASH.
Nuk ka vonuar reagimi i PS, e cila ka kërkuar hetimin e kutive të materialeve zgjedhore, ashtu sic e kërkon edhe Bashkimi Evropian.
“Nuk janë të sharat dhe shpifjet kundër opozitës ato që u duhen shqiptarëve, por e vërteta. Duhet të hapen kutitë e materialeve zgjedhore, ashtu sic kërkoi BE dhe të mbyllet kapitulli i zgjedhjeve të vjedhura në mënyrë që të ketë ekonomi më të mirë për të gjithë dhe drejtësi për të gjithë”, ka deklaruar Megi Ajtyresa, anëtare e asamblesë së PS.
Ndërkohë, partia më e madhe e opozitës ka vijuar me akuzat ndaj qeverisë përsa i përket abuzimit në sektorin e shëndetësisë, që sipas saj është kthyer në një monopol të LSI-së.
“Sali Berisha ka dështuar të ndalojë abuzimin galopant në sistemin e shëndetësisë, edhe pse e dinte që në vitin 2007. Jo vetëm kaq, por edhe pas vitit 2009 ai ka vijuar abuzimin duke ia falur shëndetësinë LSI-së dhe ministrit Petrit Vasili. Këto abuzime PS do vazhdojë t’i denoncojë”, ka deklaruar deputetja Olta Xhacka.
Top Channel