
Nënshkodra vazhdon të jetë në kushtet e emergjencës për shkak të prezencës së ujit, kryesisht në rrugën nacionale Shkodër-Dajc, e cila kalohet me mjaft vështirësi nga mjetet e vogla.
Rreth 8 mijë hektarë tokë vazhdojnë të jenë të mbuluar nga uji dhe mbi 2 mijë persona qëndrojnë ende të evakuar nga zona e Nënshkodrës, kryesisht nga komuna Dajc, Ana e Malit dhe Velipojë.
Këto shifra falsin qartë se përmbytja ende nuk ka mbaruar, madje nga banorët e Darragjatit, në komunën Dajc, raportohet se gjatë natës së të shtunës ka patur një rritje te ndjeshme te nivelit te ujit per shkak te shtimit te shkarkimeve nga hidrocentrali.
Zona tjetër problematike në Nënshkodër mbetet dhe fshati Obot, i cili ndahet nga komuna Dajc nga rrjedha e Bunës. Në këtë zonë e vetmja mënyrë komunikimi vazhdojnë të mbeten varkat.
Gjithashtu, prezencë të larte uji kanë edhe shumë banesa dhe qindra hektarë tokë në fshatin Trush të komunës Bërdicë.
Në aksin nacional Shkodër-Velipojë rruga është e pakalueshme, pasi prezenca e ujit te ura e Gjo Lulit arrin deri në 80 cm. Në këto kushte, e gjithë komuna Velipojë është pothuajse tërësisht e izoluar.
Aktualisht nga mjetet e ushtrisë është duke u përdorur një rrugë dytësore pranë bendit të Torovicës për të shkuar në Velipojë, por që edhe kjo rrugë paraqet mjaft probleme.
Në komunën Velipojë fshati më problematik ngelet Rjolli, ura e të cilit dhe të gjitha shtyllat elektrike janë shembur nga prurjet e mëdha në lagunën e Vilunit, duke izoluar tërësisht këtë zonë.
Top Channel