Digjet traileri në autostradë

19/12/2010 21:55

Një trailer mori flakë duke bllokuar lëvizjen e automjeteve në autosradën Durrës-Kukës. (UPDATE)

Flakët që përfshinë trailerin me targa zvicerane shkrumbuan plotësisht një automjet luksoz, si dhe disa makineri ndërtimi që ai po transportonte për në Kosovë.

Korrespondenti ynë thotë se nga shpërthimi i flakëve u bllokuan mbi 200 automjete, 8 kilometra larg tunelit të Kalimashit, në afërsi të urës së Kolshit në Kukës.

Automjetit që drejtohej nga Viktor Ndreca, nga Gjakova, pasi zbriti një dishezë të madhe iu nxehën ferrotat duke provokuar zjarrin, por nuk përjashtohet edhe mundësia që ai të jetë shkaktuar nga ngarkesa që mbartte.

Menjëherë dy zjarrfikëset e tunelit të Kalimashit, si dhe njëra e qytetit të Kukësit arritën të shuajnë flakët pas rreth dy orësh.

Sipas vëzhgimeve paraprake, dëmet e shkaktuara nga rënia e zjarrit llogariten mbi 40 mijë euro, pasi makina që gjendej në ngarkesë ishte e tipit të fundit luksoz dhe është shkrumbuar e gjitha.

Top Channel