Tenderët, likuidohet buxheti në fund të vitit

18/12/2010 08:55

Ministritë dhe drejtuesit e tyre nuk e kanë harruar “avazin” e likuidimit të fondeve të mbetura në fund të vitit.

Duke shfrytëzuar lejen që u jep ministri i Financave, shumë dikastere të rëndësishme kanë planifikuar të shpenzojnë dhe të lidhin kontrata disa milionë dollarë për qëllime të ndryshme, duke nisur nga nafta, pajisje zyre, elektronike, makine dhe servis etj., të gjitha veprimet procedurale po kryhen këto ditë, kur thesari bën hesapet e fundvitit dhe si zakonisht, kursimet e mbetura i kalojnë vitit që vjen.

Ashtu si në vitet e kaluara, edhe për 2010-n, Kryeministri, me propozimin e ministrit të Financave nxori një urdhër që ndalonte tenderët pas datës 1 gusht, dhe do të lejoheshin vetëm prokurimet për objekte të veçanta dhe të rëndësisë së lartë.

Kaq mjaftoi dhe hapësirën e vogël që lejon vendimi të gjitha ministritë e kanë kthyer në “rrugë” me shumë korsi duke shpenzuar shuma të konsiderueshme.

Kështu, me një vendim të veçantë, marrë në ditët e fundit të muajit nëntor, Kryeministri ka autorizuar Ministrinë e Brendshme të kryejë disa tenderë deri më 20 dhjetor, shuma totale të cilave shkon në rreth 550 milionë lekë, ose gati 5 milionë dollarë.

Tenderët janë planifikuar për sigurimin e disa mallrave, si pajisje zyre, me vlerë 16 milionë lekë, materiale të ndryshme për pastrim 4.7 milionë lekë, blerje karburant 104 milionë lekë, pajisje elektronike dhe telekomunikacioni 33 milionë lekë, blerje letër për 21 milionë lekë, shërbim gatimi 134 milionë lekë, për këpucë 5.5 milionë lekë etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA