Ndryshe nga ish-kreu I LDK-së Fatmir Sejdiu i cili mbante një qendrim refuzues ndaj partisë së Behxhet Pacolli, kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa duket se po ndjek një strategji tjetër.

Ai lidhi koalicion parazgjedhor me AKR -në për Komunën e Rahovecit ndërkohë që kryetarët e dy subjekteve, Isa Mustafa dhe Behxhet Pacolli u panë së bashku në tubimin përmbyllës për balotazhin e së dielës në Rahovec.

Mustafa dhe Pacolli ftuan qytetarët e Rahovecit që të mbështesin kandidatin e LDK-së për kryetar komune në mënyrë që Rahoveci të ketë një të ardhme të ndritëshme.

 “Ne në bazë të kësaj kemi konsideruar se një koalicion në komunë këtu ndërmjet Lidhjes Demokratike dhe Aleancës Kosova e Re, do të jetë një koalicion programor, një koalicion i cili do të ofrojë zgjidhjen e shumë problemeve që i keni ju, një koalicion, i cili do të mundësojë zhvillimin më të mirë, më të shpejtë të komunës së Rahovecit, do të mundësojë një qeverisje të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme siç iu kemi premtuar më parë”, tha Mustafa para qytetarëve në Rahovec.

Në këtë tubim kreu i AKR -së shprehu edhe një shqetësim tjetër. Ai u kërkoi falje qytetarëve për mbajtjen e zgjedhjeve të shpeshta, por tha se edhe këtë herë të votojnë për kandidatin e LDK-së sepse kështu zbatohet programi i AKR-së si për rrushin që mbetet pa u shitur ashtu edhe për problemet e tjera të zonës.
 
“Po e përsëris atë që tha kryetari dhe miku im, Isa Mustafa që tha se ky bashkim i këtyre forcave është programor. Unë do të shtoja se ky është edhe parimor, sepse sigurisht programet dhe parimet tona janë të njëjta dhe tani është koha që këto forca mos t’i ndajmë, por t’i bashkojmë dhe të zgjedhim atë që është më e mira dhe më e drejta”, tha Pacolli.

Në garë për kryetar të Komunës së Rahovecit janë kandidati i LDK-së Ibrahim Kryeziu dhe ai i AAK-së Smajl Latifi.

Në përmbyllje të fushatës të premten, zyrtarë të AAK-së qëndruan në një prej bodrumeve të verës në Rahovec, ku dhe premtuan mbështetje të fuqishme për zhvillimin e vreshtarisë. Premtimi u AAK në fakt ngjasonte me atë të PDK-së se me tregtimin e rrushit do të merren institucionet qendrore.

Zyrtarët e AAK-së nuk komentuan nëse kanë bërë marrëveshje me PDK-në për ta mbështetur kandidatin e AAK-së. Raundi i dytë i zgjedhjeve për pushtetin lokal  në Rahovec mbahet të dielën me 19 dhjetor.

Top Channel