MPJ: Raporti, abuzim me autoritetin e KiE

18/12/2010 08:40

Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet ndërkombëtare lidhur me sqarimin e çështjeve që ngre raporti i parlamentarit zviceran të Këshillit të Europës, Dick Marty.

Në serinë e deklarimeve të njëpasnjëshme edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka dalë dje me një deklaratë të posaçme për shtyp përmes së cilës teksa ka hedhur poshtë akuzat e bëra në adresë të vendit tonë ka nënvizuar vullnetin për të vendosur çdo bashkëpunim nëse çështjet do të rihapen.

Si provë e pafajësisë së Shqipërisë është sjellë hetimi i kryer disa kohë më parë nga Gjykata e Hagës, e cila rrëzoi pretendimet e ish-prokurores Carla del Ponte.

“Institucionet e Republikës së Shqipërisë kanë bashkëpunuar ngushtë me grupin hetimor të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi në vitin 2004 dhe i kanë ofruar bashkëpunim të plotë edhe vetë z. Marty gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2009. Ministria e Punëve të Jashtme përsërit publikisht gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Shqipërisë për të bashkëpunuar pa asnjë rezervë me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në këtë çështje, me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe me Këshillin e Europës”, deklaron Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA