Komisioni Qendror Zgjedhor rrëzon kërkesën e kryetarit të LDK-së Isa Mustafa për rinumërimin e të gjitha kutive të votimit, ndërkohë që vendosi t’i rinumërojë rreth 800 kuti votimi që ndodhen në karantinë.

Bëhet fjalë për ato kuti të cilat pasi i janë nënshtruar proçesit të kontrollit në qendrën e numërimit të votave janë vërejtur parregullsi të mëdha si për sa i përket mospërputhjes së fletëvotimeve me numrin e nënshkrimeve po ashtu edhe dëmtime të kutive ne forma të ndryshme.

“Me vendimin e KQZ-së është vendosur që të bëhet rinumërimi i kutive që janë në karantinë, që nuk do të thotë se ato janë të manipuluara, por që kanë disa defekte dhe se numri i saktë i tyre do të dihet nesër, pasi nga numri i përgjithshëm i tyre do të hiqet ai i kutive nga Skënderaj, Drenasi dhe Deçani si dhe dy qendrat që do të shkojnë për rivotim”, është shprehur kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Kryetari i LDK-së i cili ka shprehur dyshimin se i tërë proçesi zgjedhor është i manipuluar, ka kërkuar nga KQZ-ja që votat të numërohen nga e para.

Burimet jo zyrtarisht thonë se pranimi i kësaj kërkese do të ishte absurdë për KQZ-në sepse do të nënkuptohej se i gjithë procesi zgjedhor ka qenë i manipuluar.

Nga ana tjetër vet kryetarja e KQZ-së Valdete Daka shprehet e bindur se me përjashtim të kutive që ndodhen në karantinë, pjesa tjetër përfaqëson vetëm vullnetin e drejtë të qytetarëve.

Top Channel