Berisha: Prokuroria rrëzoi draftin e Ramës

18/12/2010 08:00

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, deklaroi dje nga Brukseli se hetimet e Prokurorisë së Shkodrës ndaj kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit kanë legjitmituar rregullsinë e procesit dhe kanë përgënjeshtruar përfundimisht kauzën e opozitës.

Pas pjesëmarrjes në samitin e Partive Popullore Europiane, Berisha la të kuptohet se hetimi i zgjedhjeve të shkuara përmes sistemit të drejtësisë, ishte rruga që duhet të ndiqej për hetimin në ato zona ku PS shfaqte dyshime për procesin e korrikut të vitit të shkuar.

“Prokuroria e Shkodrës botoi hetimin dhe nuk gjeti as edhe një votë të vetme ndryshe nga sa ishte shkruar në procesverbale. Kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është arsyeja që zoti Rama, pasi mbajti një vit rresht partinë e tij me kërkesën për numërim të votave, u tërhoq, se do të dilte si në Shkodër”, theksoi Berisha.

Kryeministri theksoi se kjo ishte një përgjigje përfundimtare për opozitën, sepse tashmë organet ligjore konfirmojnë se në zgjedhjet e shkuara s’ka pasur asnjë manipulim.

Rruga përmes prokurorisë, sipas Berishës, është mënyra e duhur për të hetuar zgjedhjet dhe mazhoranca është e hapur për të.

Në këtë kuadër, kreu i qeverisë i kërkoi Ramës që të ishte i qartë me gjuhën e përdorur kur kërkonte hetim dhe t’ia përshtaste atë ligjit.

“Rama ka paraqitur një kërkesë që në 9 nenet e saj, 8 bëjnë fjalë për dyshim. Por harron se në çdo vend demokratik ligjet përcaktojnë se cili dyshim hetohet i bazuar në fakte ose të dhëna. Në aspektin tjetër, ai të ngjet me një pamflet oreuellian. Në rast se zoti Rama pranon gjuhën e ligjit, pranon që këto dyshime të mbështeten mbi bazën e fakteve, grup fakteve dhe provat”, theksoi Berisha, duke iu referuar edhe komisionit hetimor për zgjedhjet e shkuara që pritet të ngihet së shpejti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA