Rama: Berisha t’i hapë rrugë hetimit

17/12/2010 20:15

Nga Vlora, opozita i bëri thirrje kryeministrit Berisha t’i hapë rrugë hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, ku për kryesocialistin Rama fshihet e vërteta e manipulimeve që kanë prodhuar një qeveri, sipas tij, të pa votuar nga shqiptarët. (UPDATE)

Kreu i Partisë Socialiste paralajmëroi se në këtë betejë opozita nuk do të tërhiqet derisa në Shqipëri siç tha ai të kthehet faqja aktuale e tejmbushur me dështime.

“Shqiptarët do të qëndrojnë këtu për të ndërtuar Shqipërinë evropiane. Do të lëvizin lirisht falë Evropës që u hapi rrugët dhe lirisht do të largojnë Sali Berishën që ka vjedhur votën. Jo populli në varësi të qeverisë, por qeveria në varësi të popullit”, është shprehur Rama.

Sipas tij, qeveria aktuale dhe kreu i saj janë e vetmja arsye prej së cilës Shqipëria vazhdon të qëndrojë në vend numëro.

“E vetmja arsye pse shqiptarët nuk ecin dot përpara dhe nuk përfitojnë dot nga kufijtë e hapur, sepse janë të varfër, është dështimi i Saliut”, deklaroi ai.

Për socialistët ndryshimi për një Shqipëri moderne dhe europiane nis vetëm nga një pikë.

“Është një Shqipëri që mund të bëhet e mundur nga liria për të zgjedhur dhe për të bërë të mundur të vendosë se kush do e drejtojë”, tha Rama.

Top Channel